Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Mogherinit, kjo e fundit tha se "vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur tatimin mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina në 100%, vetëm se e komplikon më tej situatën dhe nuk sjell ndonjë zgjidhje për problemet e njerëzve apo për aspiratat e Kosovës për të tashmen dhe të ardhmen e saj".
"Kjo është një masë që nuk ndihmon për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duhet të tërhiqet", tha Mogherini.
Të hënën, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të heqin taksën mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja.
Qeveria e Kosovës u shpreh e vendosur se do të mbajë në fuqi taksën pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar.