Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli e ka konsideruar të ngutshëm dhe të dëmshëm për qytetarët në veri të Kosovës, vendimin e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe për t’u dorëhequr nga pozitat e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, ai u ka bërë thirrje banorëve të këtyre komunave që të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj “situatës së krijuar ditëve të fundit”.
“Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë.
Veseli përveç tjerash ka thënë edhe se autoritetet e Kosovës do të tregojnë gatishmëri për të siguruar stabilitet dhe fqinjësi të mirë në rajon.
Duke përmendur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosje të taksës prej 100 për qind në importet e mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Dorëheqjet i kanë dhënë, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ai i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq dhe kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.
Kryetarët e komunave veriore dorëhiqen, qytetarët protestuan për taksën
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është kundërshtuar edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili ka bërë thirrje për tërheqje të masës së vënë nga autoritetet e Kosovës.