Thaçi takoi Pompeon: Kemi mbështetjen e SHBA-së për marrëveshjen me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi të hënën në Uashington sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

“Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në të gjitha fazat e luftës sonë për liri dhe pavarësi. Ne tani po punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, për të siguruar paqen dhe për të garantuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, tha Thaçi në një postim në Twitter.

Në një komunikatë të lëshuar më pas nga Presidenca e Kosovës thuhet se Thaçi dhe Pompeo biseduan, ndër të tjera, për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja mbështet Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe anëtarësimit të Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Mbështetja e SHBA-së, sipas Thaçit, “është përcaktues për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe krijimin e një konsensusi më të madh brenda dhe jashtë Kosovës”.

Thaçi në SHBA pritet të takojë edhe këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Bolton.

Bolton ka deklaruar më herët se SHBA nuk e përjashton idenë e korrigjimeve territoriale, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.

Ideja për ndryshim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë është shpalosur nga vetë presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis tyre.

Ideja ka nxitur reagime për dhe kundër, si në Kosovë dhe Serbi, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar.