Anija ruse godet një anije ukrainase në Detin Azov

Anije ukrainse në Detin Azov

Ukraina thotë se një anije e rojës bregdetare ruse e ka goditur një anije të saj të marinës jashtë Gadishullit të aneksuar të Krimesë dhe e ka quajtur këtë “veprim të hapur agresiv”, që ka rezultuar me dëmtimin e anijes ukrainase.

Marina ukrainase tha se incidenti ndodhi sot, teksa tri anije – përfshirë dy anije të vogla luftarake – po udhëtonin nga porti në Odesa që gjendet në Detin e Zi, drejt Mariupolit në Detin Azov.

Shërbimi i Sigurisë Federale ruse (FSB), që kontrollon shërbimet detare të shtetit, akuzoi Kievin se ka hyrë ilegalisht në ujërat ruse dhe me qëllim ka provokuar një konflikt.

Deti Azovit është një zonë që ka ngritur tensionet mes Moskës dhe Kievit, që prej se Rusia aneksoi Krimenë më 2014 dhe më pas filloi të mbështeste separatistët në Lindje të Ukrainës, në konfliktin që ka vrarë më shumë se 10,300 persona.

Të dyja palët kanë rritur prezencën e tyre ushtarake në rajonin e Azovit.

Një anije ruse “goditi anijen tonë” tha Marina ukrainase në një deklaratë për media, duke thënë se anija ka pësuar dëmtime.

Anijet ruse “kanë kryer veprime të hapura agresive ndaj anijeve ukrainase”, thuhet tutje në deklaratë.