OEK: Bizneset përkrahin taksën për produktet serbe dhe boshnjake

Produkt serb

Komuniteti i biznesit në Kosovë është në përkrahje të taksës doganore ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Oda Ekonomike e Kosovës thuhet ‘se pas një takimi me bizneset në vend këto biznese e përkrahin vendimin qeveritar duke i dhënë konsideratë më të lartë interesit të përgjithshëm shtetëror'.

Megjithatë, për t'ju lehtësuar veprimtarinë e tyre, bizneset e prekura nga kjo taksë, kërkojnë qartësim të afatit kohor të këtij vendimi dhe informim më të detajuar rreth proceseve përcjellëse.

“Për më shumë, bizneset shprehin nevojën për koordinim më të mirë ndërinstitucional për klasifikimin e brendeve ndërkombëtare, mallin që gjendet në depotë doganore dhe politikave shtetërore për mbështetjen e prodhimeve vendore”, thuhet në komunikatën për media të OEK.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që të rris në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Rritja e taksës, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Vendosja e kësaj takse ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini e cila ka kërkuar nga Kosova të shfuqizojë menjëherë këtë vendim.

BE i kërkon Qeverisë së Kosovës të tërheqë vendimin për taksën