Protestë në Tiranë, qytetarë dhe policë të lënduar

Ilustrim

Banorët e lagjes “Astiri” në Tiranë janë përplasur me Policinë e Shtetit gjatë një proteste para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, përderisa brenda në Kuvend po mbahej seanca plenare.

Protestuesit kanë hedhur në drejtim të policisë shkopinj, gurë dhe tymuese. Si rezultat i përplasjes, disa qytetarë dhe gjashtë efektivë të policisë kanë mbetur të lënduar.

Video e realizuar nga Zëri i Amerikës

Protesta kishte për shkak projektin e Unazës së re në Tiranë, ndërtimi i së cilës prek vendbanimet e qindra banorëve, prona këto të zhytura në konteste pronësore me komunën.

Këta qytetarë në javët e fundit kanë protestuar duke kërkuar që shtëpitë e tyre të kompensohen me vlerën e plotë të tregut.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama, përmes postimit të një videoje në rrjetin e tij social Facebook tha se “paligjshmëria nuk do të dëmshpërblehet”.

Video nga faqja zyrtare e kryeministrit Edi Rama në Facebook

Ai, me ton të ashpër edhe nga foltorja e Kuvendit tha se do të ketë zero tolerancë për zaptuesit e pronës.

“Në raport me banorët janë tri qasje të ndryshme: me këta të kategorisë së zaptuesit profesionist, as nuk bëhet fjalë. Jo dëmshpërblim 100 pwr qind, por as nuk bëhet fjalë asnjë lloj tolerance. Zero. Dhe ata bëjnë mirë që të largohen vetë nga aty dhe mos të dalin më të zënë rrugën”, tha kryeministri.

Sipas Ramës, disa nga pronat e legalizuara në vitin 2013 do të rishqyrtohen, ndërkaq kompensim në formë qiraje do t'iu ofrohet atyre që posedojnë shtëpi te paligjshme.

Protestuesve që preken nga Unaza e Madhe i janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, të cilët ishin duke zhvilluar një takim për buxhetin.

Banorët që preken nga zgjerimi i unazës së re për 19 ditë protesta kanë kërkuar dëmshpërblim të plotë edhe të banesave që nuk janë të legalizuara apo janë në proces legalizimi.

Protesta e të enjtes ishte e vetmja që eskaloi në dhunë.