Ministrja Hoxha: Na duhet përkrahja e BE-së për liberalizimin e vizave

Kosovo: Minister of Integration, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Dhurata Hoxha, u prit të mërkurën në Bruksel nga komisionari Dimitris Avramopoulos, përgjegjës për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi.

"Ne, nga dita e marrjes së udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave, më 2012, nga niveli qendror dhe lokal, kemi qenë të përkushtuar për zbatimin sa më të shpejtë të kritereve për liberalizim", tha në takim ministrja Hoxha, citon një komunikatë për media, e lëshuar nga Ministria e Integrimit Evropian.

Hoxha tha se Kosova pret nga instancat vendimmarrëse që të ndikojnë dhe ofrojnë përkrahjen që edhe Këshilli i Ministrave "të heqë kufizimin e lëvizjes së lirë" dhe "të heqë pabarazinë ndaj shtetasve të Kosovës".

Avramopoulos, në anën tjetër, vlerësoi, siç tha ai, angazhimin e Kosovës dhe bartësve të përgjegjësive institucionale për lobim dhe marrjen e përkrahjes nga vendet e veçanta për votimin pro në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Ai tha se përmbushja e kritereve për liberalizim është konfirmuar nga Komisioni, si dhe me vendimin e Komitetit të Parlamentit Evropian për Liri Civile (LIBE) dhe votimin në Parlamentin Evropian.

Këshilli i Bashkimit Evropian pritet që në dhjetor të vendosë për ose kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.