Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë në një postim në Twitter se Serbia nuk duhet të frikësohet nga anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, por siç është shprehur ai “nga e kaluara e saj e pazgjidhur kriminale”.
“Serbia ka një histori të abuzimit me njoftimet e INTERPOL-it si formë e agresionit ndaj fqinjëve të saj”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se Kosova në anën tjetër ka bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.
“Serbia nuk duhet të frikësohet nga Kosova në INTERPOL, por nga e kaluara e saj e pazgjidhur kriminale”, ka shtuar ai.
Zyrtarët qeveritarë kanë deklaruar se shpresojnë që Kosova të bëhet anëtare e re e INTERPOL-it, në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate ndërkombëtare të policisë, që sivjet mbahet në Dubai nga 18 deri më 21 nëntor.
Kosova fillimisht ka aplikuar për t’u anëtarësuar në INTERPOL më 2010 dhe ka përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë.
Më 2017, Kosova pati hequr dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.