Fletarrestim për Nikolla Gruevskin

Nikolla Gruevski

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë lëshoi fletarrestim për ish-kryeministrin e këtij vendi, Nikolla Gruevski, pas njoftimit nga Gjykata Penale se nuk ka mundur ta gjejë atë për t’i dorëzuar vendimin për t'u paraqitur në burg.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore e Shkupit ka dhënë urdhër për arrestimin e Nikolla Gruevskit dhe të hënën, në orën 16:30, ka dorëzuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup urdhrin e arrestit. Menjëherë pas dorëzimit, policia vepron sipas kërkesës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Gruevski duhej personalisht të pranonte vendimin për nisjen e vuajtjes së dënimit prej dy vjetësh burgim për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së makinës luksoze qeveritare, në vlerë prej 600 mijë eurosh.

Në disa media në gjuhën maqedonase është spekuluar mbi mundësinë e largimit të tij nga Maqedonia, por kjo nuk është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Para se t’i refuzohet kërkesa për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, Kuvendi i Maqedonisë nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave për t'i hequr mandatin Gruevskit, tani deputet.

Gruevski po gjykohet edhe në disa procese tjera gjyqësore për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime financiare.