Kurz: Nëse Prishtina dhe Beogradi arrijnë marrëveshje, ne e mbështesim

Kancelari austriak, Sebastian Kurz

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha sot në Prishtinë se Vjena e mbështet cilëndo marrëveshje të paqes që arrihet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke mos përjashtuar as opsionet për ndryshimin e kufijve.

Kurz i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Vetëm një marrëveshje paqeje mes dy vendeve do të mund t’i hapte rrugë anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian”, tha Kurz.

“Qeveria e Austrisë pajtohet me cilëndo marrëveshje, e cila arrihet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Pra, ne jemi të bindur që nëse ia dalin të kenë marrëveshje, askush nuk do të jetë kundër saj. Edhe nëse ajo është korrigjim i kufijve dhe shkëmbim i territoreve, ajo do të mbështetet nga ne”, tha Kurz.

Kancelari austriak, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e BE-së, theksoi se nuk do të ketë stabilitet në rajon dhe as perspektivë evropiane pa një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa Kurz foli me tone pozitive për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ai nuk e fshehu skepticizmin e tij për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe liberalizimin e vizave.

“Sa i përket idesë së ushtrisë së Kosovës, jemi shumë skeptikë. Rajonit i duhen masa që çojnë në stabilitet dhe jo në destabilitet”, tha Kurz.

Në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Kurz tha se ende ka shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian që janë skeptike në këtë proces.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz në takim me presidentin Thaçi

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila, sipas tij, do të sillte njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi do të sjellë paqe në Ballkanin Perëndimor dhe do të hapë perspektivën e anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian”, tha Thaçi.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurtz, u prit edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj. Detaje të bisedimeve me kancelarin austriak, Haradinaj i bëri të ditura pas mbledhjes së qeverisë.

Ai tha se sa i përket dialogut me Serbinë, i ka thënë kancelarit austriak se përkrahë arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë për njohjen mirëpo ajo sipas Haradinajt nuk arrihet me ndarje.

“Të gjitha këto definicione: demarkim, korrigjim, shkëmbime e të tjera, janë vetëm mbulesë që Kosova t'ja jap një pjesë të territorit të saj Serbisë në shkëmbim të njohjes”, tha Haradinaj.

Vizita e kancelarit austriak në Kosovë bëhet një ditë pasi ai qëndroi në Beograd, ku e bëri të qartë se e vetmja mundësi për anëtarësimim e Serbisë në Bashkimin Evropian është përmes arritjes së një marrëveshjeje me Kosovën.