Facebook bllokon 115 llogari për veprimtari të dyshimta

Ilustrim

Facebook tha se ka bllokuar 115 llogari të përdoruesve pasi autoritetet në Shtetet e Bashkuara e njoftuan rrjetin social për veprimtari të dyshimta që mund të lidhen me një vend të huaj.

Njoftimi vjen pasi agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA i paralajmëruan qytetarët, që votojnë sot në zgjedhjet për Kongres, që të jenë të kujdesshëm ndaj përpjekjeve të Rusisë, Iranit dhe vendeve të tjera për të përhapur lajme të rreme në mediat sociale.

Facebook tha se duhet të bëjë analiza të mëtejshme për të përcaktuar nëse llogaritë që ka bllokuar janë të lidhura me Rusinë ose Agjencinë e Kërkimit në Internet, të cilat janë akuzuar për përpjekje për ndërhyrje në zgjedhjet e kaluara.

Facebook tha se 85 nga llogaritë e bllokuara kanë bërë postime në gjuhën angleze në shërbimin Instagram të Facebook-ut.

Disa nga këto llogari në Instagram "u përqendruan te njerëz të famshëm", ndërsa të tjera në "debat politik", tha Facebook.