Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se Shtëpia e Bardhë dëshiron që sanksionet e vëna në sektorin e naftës në Iran të godasin ekonominë e këtij shteti, mirëpo nuk kanë synim të dëmtojnë “miqtë dhe aleatët” që varen nga nafta.
“Ne synojmë të shtojmë presionin maksimalisht, mirëpo nuk dëshirojmë të dëmtojnë shokët dhe aleatët”, ka thënë Bolton në një organizim në Uashington më 31 tetor, duke dhënë shenja për lehtësim të mundshëm të kërkesave amerikane ndaj shteteve, të cilat parashohin ndalim të plotë të importit të naftës nga Irani.
Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për të aplikuar valën e dytë të sanksioneve në industrinë e naftës iraniane më 5 nëntor, pasi janë tërhequr nga pakti bërthamor që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botërore.
Megjithatë, Uashingtoni ka qenë duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të disa lehtësirave, me kërkesë të vendeve aleate siç janë India dhe Turqia.
India, njëherësh konsumatorja e dytë më e madhe e naftës iraniane ka thënë se nuk mund të zëvendësojë menjëherë importin e naftës iraniane dhe ka kërkuar lehtësira, derisa edhe Turqia ka kërkuar përjashtim nga këto masa nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Po këtë javë, Koreja Veriore po ashtu ka kërkuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo “fleksibilitet maksimal” duke kërkuar që kompanitë e saj të mos preken nga sanksionet.
Përveç këtyre shteteve, edhe Iraku dhe Afganistani varen shumë nga importet e naftës iraniane.
Prandaj Bolton ka thënë se administrata amerikane e kupton që një numër i shteteve “mund të mos ndërprejnë menjëherë gjithë importin”.
Këto deklarata jaë cilësuar si shenjë se Uashingtoni është duke u përgatitur për të krijuar disa lehtësira, çka ka krijuar situatë të befasishme, meqë ky shtet ka nisur sanksionet më të ashpra ndaj Iranit.
Por Bolton po ashtu ka insistuar se edhe në rast të disa përjashtimeve, Irani do t’i vërejë sanksionet amerikane.
Ndërkohë vetëm disa orë para deklaratave të Boltonit, presidenti iranian, Hassan Rohani ka paralajmëruar iranianët se mund të përballen me vëshirësi ekonomike në muajt vijues, pas aplikimit të sanksioneve të reja amerikane.