Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është koha për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila, sipas tij, do të nënkuptonte “njohjen e dyanshme”.
Këto komente, Thaçi tha se i bëri në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë.
"Lidershipi në Kosovë dhe Serbi e dëshiron një marrëveshje të tillë, SHBA-ja dhe BE-ja e dëshirojnë dhe po punojnë drejt arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe, tani, pa hamendje, të gjithë duhet të lëvizim përpara", tha Thaçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Presidenti Thaçi, i cili udhëheq bisedimet me Serbinë, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, ka proklamuar idenë e tij për ndryshimin e kufijve, apo, siç thotë ai, “korrigjimin” e tyre, si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Sipas Thaçit, ky korrigjim nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.
Një ide e tillë kundërshtohet nga partitë opozitare në Kosovë, por edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili vazhdimisht ka paralajmëruar se prekja e kufijve mund të bëhet vetëm me luftë.