OBSH: Mbi 90% e fëmijëve thithin ajër toksik

Logo e OBSH-së

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se më shumë se nëntë në dhjetë fëmijë në botë thithin ajër toksik në baza ditore - çfarë ka rezultuar me vdekjen e rreth 600,000 fëmijëve në vitin 2016.

Në një raport të publikuar të hënën, OBSH tha se rreth 93% e fëmijëve në botë, nën moshën 15 vjeç, thithin ajër që është aq i ndotur "saqë vë shëndetin dhe zhvillimin e tyre në rrezik serioz".

"Kjo është e pafalshme. Çdo fëmijë duhet të jetë në gjendje të thithë ajër të pastër, në mënyrë që të rritet dhe të përmbushë potencialin e tij të plotë", tha përmes një deklarate drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sipas raportit, 98% e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare në vendet me të ardhura të vogla ose të mesme në Afrikë, Azi Juglindore dhe Mesdheun Lindor janë të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur në nivele mbi udhëzimet e OBSH-së, krahasuar me 52% të pesëvjeçarëve në vendet me të ardhura të mëdha.

Sipas OBSH-së, fëmijët janë më të cenueshëm ndaj efekteve të ndotjes së ajrit, pasi ata marrin frymë më shpejt se të rriturit dhe në këtë mënyrë thithin më shumë ndotës.