Cesar Sayoci ngarkohet me pesë akuza lidhur me pakot shpërthyese në SHBA

I dyshuari për nisje të pakove shpërthyese në SHBA, Cesar Sayoc.

Një burrë 56 vjeçar është arrestuar në Florida lidhur me rastin e dërgimit të disa pakove me material shpërthyes drejt kritikëve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Zyrtarët amerikanë e kanë emëruar të dyshuarin si Cesar Sayoc. Ai përballet me pesë akuza duke përfshirë dërgesa shpërthyese dhe kërcënim të ish-presidentëve.

Presidenti Trump ka thënë se aktet kanë qenë “të neveritshme dhe nuk kanë vend në shtetin tonë”.

Në ditët e fundit, 14 pako janë nisur drejt figurave të larta amerikane, duke përfshirë ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama dhe aktorin Robert de Niro.

Dy pako tjera janë gjetur në Florida dhe Nju Jork në mëngjesin e së premtes.

Këto incidente kanë ndodhur në vetëm më pak se dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve për Kongresin amerikan dhe situata cilësohet tejet tensionuese.

Zyrtarët për zbatim të ligjit kanë thënë se Sayoc jeton në Aventurë të Floridas. Ai ka pasur lidhje edhe me Nju Jorkun dhe është i regjistruar si republikan.

Në vitin 2002 ai është arrestuar për kryrje të kërcënimeve për sulm me bombë në Majami dhe i është shqiptuar një lirim me kusht lidhur me këtë rast.

Ai ka të kaluar kriminale që daton nga viti 1991 duke përfshirë akuzat për mashtrime.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump ka përshëndetuar autoritetet e zbatimit të ligjit për arrestim të shpejtë të të dyshuarit.

“Këto akte terrorizuese janë të neveritshme dhe nuk kanë vend në shtetin tonë”, ka thënë ai.

“Ne do ta ndjekim penalisht në shkallën më të lartë ligjore. Nuk do të lejojmë kurrë që dhuna politike të vendosë rrënjë në shtetin tonë”, është shprehur ai.