Pakistani "liron" një figurë kyçe të talibanëve

Pakistan

Pakistani e liroi nga paraburgimi një komandant të rëndësishëm të talibanëve afganë, i cili është arrestuar tetë vjet më parë.

Agjencia Associated Press citoi të enjten zyrtarët e inteligjencës të kenë thënë se Mullah Abdul Ghani Baradar, bashkëthemelues i talibanëve, është liruar "pas negociatave në nivel të lartë".

Baradar ka koordinuar operacionet e talibanëve në jug të Afganistanit para se të arrestohej në qytetin Karaçi të Pakistanit në vitin 2010.

Disa raporte thonë se lirimi i tij mund të lidhet me përpjekjet e SHBA-së për të ringjallur bisedimet për paqe midis militantëve dhe Qeverisë pro-perëndimore në Kabul.

"Ai nuk është liruar sepse është i sëmurë", i tha BBC-së një burim i talibanëve.

"Në fakt, edhe Pakistani do që ai të luajë një rol në bisedimet për paqe. Ai është në formë të mirë dhe pritet të luajë rol në procesin e paqes", shtoi ky burim.

Zyrtarët afganë dhe pakistanezë nuk i komentuan ende këto raporte, që erdhën pas vizitës së fundit në Kabul të përfaqësuesit të posaçëm të SHBA-së, Zalmay Khalilzad, për diskutimin e procesit të paqes.