Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përkrah ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” , pasi sipas saj furnizimi stabil me energji elektrike është i domosdoshëm.
Në një komunikatë për media kjo Odë “ka shprehur besimin që një pjesë e konsiderueshme e sfidave me të cilat bizneset janë përballur në fushën e energjisë do të gjente adresën e zgjidhjes përmes ndërtimit të termocentralit 'Kosova e Re', pasi bizneset në Kosovë që nga përfundimi i luftës, si pengesë të konsiderueshme në zhvillimin e tyre kanë identifikuar energjinë elektrike”.
Përveç tjerash në komunikatë është përmendur se linjiti, lëndë e cila përbën burimin kryesor natyror në Republikën e Kosovës “duhet të gjejë shfrytëzim në nxitjen e zhvillimit ekonomik në vend, marrë parasysh edhe teknologjinë e re në këtë fushë, që ka mundësuar që të ulet dukshëm ndikimi në mjedis i burimeve të tilla”.
ContourGlobal:“Kosova e Re” ndërtohet edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore
Ditë më parë Banka Botërore ka konfirmuar se nuk përkrah ndërtimin e këtij termocentrali me thëngjill, përderisa Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese amerikane,“ContourGlobal” kanë thënë se ndërtimi i këtij termocentrali do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.