Gordana Jankullovkska dënohet me 6 vjet burgim

Gordana Jankullovska

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, u dënua me 6 vjet burgim për shpërdorim të detyrës në aferën e njohur me emrin “Tanku”.

Gjykata Penale e Shkupit e shpalli fajtore Jankullovskën për shkelje të procedurës së blerjes së një makine të blinduar për ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në vlerë prej 600 mijë eurosh.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se makina është blerë nga MPB-ja, por nga dëshmitë e siguruara ka rezultuar se, në fakt, ajo "është blerë për ish-kryeministrin Gruevski".

Gjykatësja tha se aspektet teknike të tenderit kanë favorizuar një kompani, ndërsa janë kërkuar edhe kushte të tjera të posaçme, me çka është përjashtuar mundësia e subjekteve tjera për të marrë pjesë në tender.

Për të njëjtin rast, me 2 vjet burgim është dënuar edhe Gruevski, ndërsa me 4.5 vjet Gjoko Popovski, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme.

Skandali është zbuluar nga afera e përgjimeve që ishte publikuar nga opozita në shkurt të vitit 2015, ndërsa rasti është proceduar nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë, e cila është themeluar për hetimin e shpërdorimeve të qeverisë së kaluar.

Akuzat janë hedhur poshtë nga zyrtarët e dënuar duke i vlerësuar ato si “të motivuara politikisht”.

Jankullovkska vazhdimisht ka qenë në shënjestër të kritikave, në veçanti të opinionit shqiptar, për shkak të ofendimeve në adresë të shqiptarëve, të cilët në disa raste i ka quajtur “indianë”.