Gadzhovski: Rruga e vetme për Maqedoninë, anëtarësimi në BE dhe NATO

Vendvotim në Maqedoni

Rruga e vetme për Maqedoninë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, është porosia e qytetarëve nga referendum i mbajtur dje në Meqedoni, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mitko Gadzhovski, analist politik në Shkup.

Ai ka theksuar se për shkak të mospastrimit të listave dhe fushatës për bojkot të cilën e ka udhëhequr VMRO-DPMNE, dalja në referendum ka qenë e ulët nga sa kanë qenë pritjet duke mos arritur as 50 përqind plus 1, në mënyrë që referendumi konsultativ të jetë i vlefshëm.

Sipas tij, para Maqedonisë, tash qëndrojnë dy opsione: ratifikimi i marrëveshjes me Greqinë në Kuvend përmes mbështetjes së VMRO-DPMNE-së, ose zgjedhjet e reja parlamentare.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në referendum kanë votuar 661.393 votues ose 36.87 përqind e trupit të përgjithshëm zgjedhor. Prej tyre, 605.016 ose 91.48 përqind kanë votuar “për” ndërsa 37.312 ose 5.64 kanë votuar “kundër” derisa fletvotime të pavlefshme kanë qenë 2.88 përqind.