Kavanaugh dëshmon para Komitetit të Senatit, kundërshton ashpër akuzat kundër tij

Brett Kavanaugh.

Duke luftuar për të ruajtur nominimin e tij në Gjykatën Supreme, Brett Kavanagh ka kundërshtuar me zemërim dhe lot akuzat e prefesoreshës, Christine Blasey Ford, se ai ka pasur sjellje të keqe seksuale 36 vjet më parë.

Ford ka dëshmuar disa orë më herët në Komitetin Gjyqësor të Senatit, me ç’rast ka thënë se është e sigurt “100 përqind” që Kavanaugh ka qenë personi që e ka sulmuar seksualisht.

Ford, zëri i së cilës ndonjëherë dridhej dhe ishte në vaj, është shfaqur për herë të parë në publik për të dhënë detaje për akuzat që ka bërë kundër Kavanaugh, gjyqtarit të përzgjedhur nga presidenti amerikan, Donald Trump për pozitën me mandat jetësor në Gjykatën Supreme në SHBA-së.

Çfarë ka deklaruar Ford në Komitet?

Kavanaugh ka dëshmuar pasi Ford ka përfunduar deklaratat e saj, duke thënë se nuk kanë qenë kurrë të dy në një dhomë të njëjtë.

“Betohem sot para Senatit dhe kombit, para familjes dhe Zotit, se jam i pafajshëm në këtë akuzë”, ka thënë Kavanaugh.

Duke e cilësuar veten viktimë, Kavanugh ka folur me pasion dhe ka kundërshtuar “kategorikisht” akuzat e Fordit.

Në disa raste, ai ka shpërthyer në lot, sidomos kur ka përmendur se vajza e tij ka kërkuar që të gjithë të luten për Ford apo edhe kur ka përmendur babain e tij dhe gratë që kanë marshuar në mbështetje të gjyqtarit.

Kjo seancë mund të jetë vendimtare për atë nëse Kavanaugh do të përzgjedhet nga Senati, pas përballjes që kanë republikanët dhe demokratët për këtë rast, pasi këta të fundit kundërshtojnë përzgjedhjen e tij.

Gjykata Supreme ka fjalën e fundit në ligjet amerikane dhe ka ndikim të konsiderueshëm në jetën politike në SHBA.