Përdorimi i dëmshëm i alkoolit ka vrarë mbi tre milionë persona më 2016, duke bërë që një në 20 vdekje në botë t’i atribuohet pirjes së alkoolit, thuhet në studimin e publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Raporti i titulluar “Statusi Botëror mbi Alkoolin dhe Shëndetësinë 2018”, i publikuar nga Organizata e OKB-së, tha gjithashtu se shkallja e konsumimit të alkoolit në vendet si Rusia, Moldavia, Bjellorusia kanë shënuar rënie në dekadën e kaluar.
Raporti po ashtu tha se në nivel botëror, mbi tre e katërta e vdekjeve nga alkooli kanë qenë meshkuj.
“Shumë njerëz, familjet e tyre dhe komunitetet kanë vuajtur nga pasojat e përdorimit të dëmshëm të alkoolit përmes dhunës, lëndimeve, problemeve të shëndetit mendor dhe sëmundjeve si kanceri dhe sulmet”, tha doktor Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
Sa i përket vdekjeve, 28 përqind janë shkaktuar nga lëndimet, siç janë aksidentetet e trafikut; 21 përqind nga çrregullimet e tretjes; 19 përqind nga sëmundjet kardiovaskulare; dhe vdekjet e tjera nga sëmundje infektive, kanceret, çrregullimet mendore dhe sëmundje të tjera shëndetësore, thuhet në raport.
“Në nivel botëror, vlerësohet se 237 milionë burra dhe 46 milionë gra vuajnë nga sëmundjet që lidhen me konsumimin e alkoolit, me përhapjen më të lartë në kontinentin evropian të konsumuesve të alkoolit”, thuhet në raport.
Raporti vlerëson se 2.3 miliardë njerëz konsumojnë alkool, me më shumë se gjysmën e popullsisë në tri rajone – Amerikë, Evropë dhe Paqësorin Perëndimor.