REL mirëpret vendimin e Gjykatës Evropiane për rastin e gazetares Sedletska

Sedletska

Radio Evropa e Lirë e mirëpriti vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin e gazetares hulumtuese të REL-it, Natalia Sedletska.

Gjykata, më 18 shtator, e urdhëroi Qeverinë e Ukrainës që të sigurojë se autoritetet atje nuk arrijnë qasje në të dhënat e telefonit celular të Sedletskas.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, tha se vendimi i gjykatës është "plotësisht i justifikuar".

"Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka të bëjë me të drejtat e gazetarëve për të mbrojtur konfidencialitetin e burimeve të tyre dhe të drejtën e shoqërisë për të marrë informacione pa censurë", tha Kent.

Më 27 gusht, Gjykata e Rrethit Peçersk të Kievit miratoi një kërkesë nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për t'i lejuar hetuesit që t'i shqyrtojnë të gjitha të dhënat nga celulari i Sedletskas, nga 1 korriku, 2016, deri më 30 nëntor, 2017.

Vendimi doli nga një hetim penal i zbulimit të supozuar të sekreteve shtetërore te gazetarët, në vitin 2017, nga Artem Sytnyk, drejtor i Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit në Ukrainë.

Zëdhënësja e Radios Evropa e Lirë, Joanna Levison, tha më herët se vendimi i gjykatës në Kiev është "në kundërshtim me zotimet e Ukrainës për të promovuar dhe mbrojtur një shtyp të lirë".

Sedletska, gazetare e shpërblyer, është nikoqire e Schemes, një program televiziv që trajton korrupsionin në Ukrainë.