Shqipëri: Rikthehet taksa në Rrugën e Kombit

Pikat e pagesës së autostradës në Rrugën e Kombit

Në Rrugën e Kombit në Kalimash të Shqipërisë, të hënën, u rikthye në fuqi tarifa për qarkullimin e automjeteve.

Por, pas disa muajsh negociata me banorët, qeverinë dhe koncesionarin, është vendosur që banorët e Kukësit dhe zonave përreth tij të paguajnë një tarifë të reduktuar.

Në sportele do të bëhet verifikimi i targës dhe banorët e kësaj ane do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej 100 lekësh (rreth 80 cent) me TVSH.

Çdo mjet që i korrespondon Qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem, dhe çdo banor do të verifikohen përpara se të paguajnë tarifën e reduktuar.

Ndërkohë, tarifa për automjetet nga Kosova do të jetë 660 lekë (5 euro).

Për kalimtarët e shpeshtë është premtuar zbritje prej 10 deri në 20 për qind në muaj.

Edhe motoçiklistët (klasi 1) do të paguajnë 2.50 euro, mini-busët dhe makinat 5 euro (klasi 2), autobusët (klasi 3) 11.30 euro, kamionët e vegjël (klasi 4) 16.30 euro dhe kamionët e mëdhenj (klasi 5) do të paguajnë 22.60 euro.

Gjatë ditës së hënë, një numër simbolik i qytetarëve dhe shoqërisë civile kanë protestuar në qendër të qytetit të Kukësit për rivendosjen e kësaj pagese, duke e cilësuar atë si “thellim të ndarjes së Shqipërisë me Kosovën”. Kjo protestë kaloi e qetë.

Më 31 mars të këtij viti, në të njëjtin vend në Kalimash, te sportelet ku paguhet taksa, ka pasur protesta të dhunshme nga banorët e Kukësit, për të cilët ka qenë e paraparë të paguajnë të njëjtën tarifë si kalimtarët e tjerë - prej 5 eurosh për një drejtim.

Në këto protesta, qytetarët e revoltuar u vunë zjarrin sporteleve duke i lënë ato plotësisht të shkatërruara.

Rruga e Kombit, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit, megjithëse një pjesë e rrugës nga Kukësi deri në kufi me Kosovën ka mbetur e papërfunduar.

Kjo autostradë njihet si një nga projektet më madhore infrastrukturore që ka intensifikuar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kostoja e kësaj rruge, e paguar me buxhetet shtetërore të të dyja vendeve, vazhdon të jetë shënjestër e kritikave për barrën buxhetore që e ka shkaktuar.