Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka pranuar kërkesën e shefit të deritashëm të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, për pensionim.
Dikoviq do të zëvendësohet në këtë pozitë nga Millan Mojsilloviq.
"Dua të falënderoj gjeneralin Dikoviq për qasjen e ndershme dhe të përkushtuar. I jam mirënjohës për gjithçka që ka bërë për Serbinë dhe popullin serb", tha Vuçiq në një konferencë për media në Beograd.
Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë, ka qenë komandant i brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi pati thënë se posedon dokumente që tregojnë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rezallë kanë marrë pjesë ushtarët e brigadës 37.
Dikoviq i ka mohuar këto pretendime dhe prokurorët serbë nuk kanë ngritur ndonjë akuzë kundër tij.