Pas votimit të Parlamentit Evropian në favor të rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, kjo e fundit është një hap më afër në procesin e heqjes së vizave, tha në një konferencë për media ministrja për Integrime Evropiane e Kosovës, Dhurata Hoxha.
Ajo shpjegoi hapat e ardhshëm drejt finalizimit të këtij procesi.
"Më 17 shtator do të takohet Grupi punues për liberalizimin e vizave dhe një javë më pas Kosovën do ta vizitojë grupi i ambasadorëve të BE-së, i cili është mekanizëm në kuadër të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave, i cili e merr vendimin final për liberalizim të vizave, do të takohet më 11 dhe 12 tetor, si dhe më 6 dhe 7 dhjetor".
“Deri këtu, ku kemi ardhur, kemi pasur përkrahjen e shumë aktorëve. Kemi lobuar dhe do të vazhdojmë të lobojmë. Mirëpo, vendimi përfundimtar do të varet nga shtetet anëtare veç e veç”, tha Hoxha.
Në rast të një vendimi pozitiv për Kosovën, Këshilli i Ministrave duhet të votojë plotësim - ndryshimin e rregullores 539/2001. Në rast se votohet pozitivisht, atëherë përcaktohet edhe data se kur do të hyjë në fuqi lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.