Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kjo pako përfshin Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media tha se me ketë projektligj nuk mund të jetë i befasuar askush, pasi për të kanë qenë të përgatitur e të njoftuar të gjithë në vazhdimësi.
"Kosova nuk mund të vazhdojë pa i marr përgjegjësitë e veta. Parlamenti është institucioni i radhës që do ta trajtojë atë. Deputetët e kanë mundësinë që të japin mendimin e tyre. I ftoj të gjithë që ta votojnë pozitë dhe opozitë dhe të gjitha komunitetet", tha Haradinaj.
Vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dërguar në Kuvend një ligj, përmes së cilit mëtohej të shndërrohej FSK-ja në ushtri. Por, ky ligj ishte tërhequr, me argumentimin se do të tentohet që ky transformim të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Lista Serbe, parti e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, në vazhdimësi ka kundërshtuar shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese.