Punëtorët e Postës së Kosovës kanë hyrë në grevë e cila sipas Sindikatës, nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ndarja e pagave me kohë është vetëm një nga kërkesat e punëtorëve.
Kryetari i Sindikatës së Postës, Etrit Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se kjo grevë është vetëm një hap sindikal që do të pasohet me veprime tjera deri në realizimin e plotë të kërkesave.
Ndryshe, Posta e Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, mirëpo në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, ajo është ndarë nga Telekomi dhe ishte themeluar si Ndërmarrje Publike Qendrore.
Posta e Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë rradhazi, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë këtë proces me sukses.