Kuvendi cakton edhe një seancë të jashtëzakonshme për të martën

Kuvendi i Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar edhe një seancë të jashtëzakonshme për të martën.

Seanca është thirrur sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës, përmes së cilës kërkohet miratimi i ekipit negociator për dialogun me Serbinë.

Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës, propozoi emrat e ekipit negociator. Në krye të këtij ekipi u propozua zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh kryetar i Partisë Nisma Socialdemokrate.

Zëvendëskryesues do të jetë zëvendëskryeministri tjetër, Enver Hoxhaj, ndërsa anëtarë do të jenë: Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi e Mahir Yagcillar.

Qeveria ka kërkuar që edhe partitë opozitare të caktojnë nga një përfaqësues në këtë ekip.

Seanca është thirrur të fillojë në ora 09:00, kurse një tjetër seancë pasuese, po ashtu e jashtëzakonshme, është thirrur nga opozita, në përpjekje të miratimit të një resolute kundër bisedimeve që kanë për qëllim ndryshimin e kufirit të Kosovës.