Trump kritikon Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në për hetimet rreth ndërhyrjes ruse

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka rritur sulmet e tij ndaj agjencive për zbatim të ligjit, duke paralajmëruar se ai mund të “përfshihet” në vendime, në kohën e hetimeve “të turpshme” që po kryhen nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja.

Duke folur në një tubim në Indiana më 30 gusht, Trump ka thënë se njerëzit janë të zemëruar për çështjet si hetimi i Këshilltarit Special, Robert Mueller, rreth asaj nëse ka pasur bashkëpunim në mes të Rusisë dhe fushatës së Trumpit, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

“Departamenti ynë i Drejtësisë dhe FBI-ja jonë duhet të fillojnë të bëjnë punën e tyre në mënyrë të duhur dhe atë menjëherë”, ka deklaruar Trump.

“Unë dua të qëndroj jashtë, mirëpo në një moment, nëse ata nuk reformohen, unë do të përfshihem dhe nëse më duhet do të jem brenda”, ka thënë ai.

Mueller është angazhuar në hetime për të kuptuar nëse fushata e Trumpit është koordinuar me Rusinë për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve në favor të tij.

Trump deri më tani ka hedhur poshtë çdo bashkëpunim me Moskën.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka kundërshtuar se Qeveria e tij ka ndërhyrë në zgjedhje, pavarësisht të dhënave të agjencive amerikane të Inteligjencës dhe komiteteve të Kongresit se, Moska ka ndërhyrë duke manipuluar opinonin publik.

I pyetur në një intervistë për Bloomberg News, të publikuar para tubimit më 30 gusht, nëse do ta pranonte ndonjë thirrje nga Mueller për t’u marrë në pyetje, Trump ka thënë se do të shohë se çfarë do të ndodhë.

“Unë e shoh ndryshe”, është cituar të ketë thënë Trump.

“Unë e shoh si hetim ilegal” sepse “studiues të mrekullueshëm” kanë thënë se “nuk pa pasur nevojë kurrë për këshilltar special”, ka deklaruar ai.