Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur edhe një herë kundër idesë për ridizajnim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një gjë e tillë është “ftesë për tragjedi të reja në Ballkan”.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo ide dërgon në destabilizim dhe pasiguri.
“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, marrëveshja ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut që zhvillohet mes dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe paqe të qëndrueshme.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të kundërshtojnë një ide të tillë.
“U bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”, ka deklaruar kryeminstri i Kosovës.
Përveç tjerash, Haradinaj ka falënderuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për rolin e tyre në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq kanë shpalosur së fundmi idenë për korrigjim të kufijve.
Të dy presidentët do të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.