SHBA dhe Meksika arrijnë marrëveshje paraprake për NAFTA-n

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se SHBA-ja ka arritur "një marrëveshje vërtet të mirë" me Meksikën për kushtet e tregtisë dhe se bisedimet me Kanadanë do të nisin së shpejti.

Negociatorët amerikanë dhe meksikanë kanë punuar për javë të tëra për të sheshuar dallimet, në mënyrë që të rinegociojnë më pas Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), të vjetër gati 25 vjet.

Trump, kritik i madh i marrëveshjes ekzistuese, tha përmes një postimi në Twitter se "kjo është një ditë e madhe për tregtinë".

"Kanada, do të nisim negociatat së shpejti. Do të thërras kryeministrin e saj shumë shpejt", tha Trump.

Marrëveshja përfundimtare do të duhet të nënshkruhet edhe nga Kanadaja, vendi i tretë në traktat, i cili qeveris me më shumë se një trilion dollarë në tregtinë vjetore.

Bisedimet kanë filluar rreth një vit më parë, pasi Trump ka kërcënuar me tërheqje nga NAFTA.

Ai ka kërkuar vazhdimisht rinegocimin e marrëveshjes së vitit 1994, të cilën e fajëson për rënie të numrit të vendeve të punës në sektorin e prodhimit në SHBA, veçanërisht në industrinë e makinave.

Mediat amerikane raportojnë se dy vendet kanë rënë dakord që 75% e një produkti të bëhet në Amerikën e Veriut, nga 62.5% sa parasheh marrëveshja ekzistuese.