IS merr përgjegjësinë për sulmet ndaj policëve në Çeçeni

Harta e Kaukazit Verior. Foto ilustruese

Autoritetet ruse thonë se kanë nisur hetimet për tri sulme të ndara, ku janë plagosur dhjetëra zyrtarë policorë në rajonin e Çeçenisë, që gjendet në Kaukazin Verior.

Grupi militant, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet që ndodhën më 20 gusht, përmes një njoftimi në agjencinë e lajmeve, që është e afërt me grupin, Amaq, duke mos dhënë më shumë detaje apo dëshmi.

Udhëheqësi i rajonit të Çeçenisë, Ramazan Kadyrov, ka hedhur poshtë pretendimet e IS-it, duke thënë se ky grup militant “nuk ka mbështetje”, në republikën e Kaukazit Verior.

Sipas Kadyrovit, IS-i mund të ketë influencuar të rinjtë e këtij rajoni përmes rrjeteve sociale, por kjo, sipas tij, është më e shumta që mund të bëjë ky grup militant, në rajonin që ai udhëheq.

Komiteti Hetues i Rusisë tha se në njërin nga sulmet e sotme, dy persona kishin hyrë në selinë e policisë në një qark të qytetit Shali dhe kishin plagosur dy oficerë me thikë. Të dy sulmuesit janë vrarë, njofton Ministria e Brendshme e Çeçenisë.

Ndërkaq, në fshatin Mesker-Yurt, që gjendet në veri të qytetit Shali, një i ri ka shpërthyer eksplozivët e tij pranë një stacioni policor, por sipas hetuesve, nga ky shpërthim nuk janë lënduar policë apo civilë.

Sulmi tjetër ka ndodhur në kryeqytetin e rajonit, Grozny, ku është hapur zjarr nga një veturë dhe janë plagosur dy policë. Hetuesit rusë thanë se shoferi është vrarë.

Militantët islamikë në këtë rajon shpesh kryejnë sulme ndaj policisë, myslimanëve të moderuar dhe zyrtarëve të tjerë. Disa prej këtyre militantëve i kanë shpallur besnikëri IS-it.

Rusia vlerëson se rreth 2 mijë qytetarë – shumica prej Kaukazit Verior – kanë luftuar përkrahë IS-it në Siri.