Thaçi: Dialogu nuk ka kuptim pa ulëse në OKB

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një postim në Twitter ka shkruar se përfundimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe me njohje reciproke.

Presidenti Thaçi ka thënë se opsionet e tjera në lidhje me përfundimin e dialogut janë të pakuptimta dhe false.

“Fundi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe demarkimin e 400 kilometrave në mes të dy vendeve, duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB dhe organizata të tjera. Opinionet tjera rreth rezultateve të këtij dialogu, janë të pakuptimta apo interpretime false“, ka shkruar Thaçi.

Presidenti Thaçi së fundmi ka iniciuar idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka thënë se në dialog do të përmend mundësinë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen territorit të Kosovës.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka nisur në vitin 2011. Sipas Bashkimit Evropian, që ndërmjetëson bisedimet, në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.