Hyrja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), është kushti i vetëm që ka mbetur për anëtarësim në Këshillin e Byrove për Kartonin e Gjelbër në Bruksel, edhe pse Kosova ka krijuar bazë ligjore, duke mbledhur 4 milionë euro fond rezervë.
Kosova vazhdon të mbetet pa alternativë rreth këtij sigurimi. Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Blerim Pushkolli, ka thënë se kanë marrë një përgjigje nga Austria, e cila ka refuzuar pranimin apo mbulimin e Kosovës me Karton të Gjelbër.
“Sa i përket përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Byrove, kemi marrë një përgjigje nga Shoqata e anëtarëve në Austri, e cila ka refuzuar pranimin apo mbulimin e Kosovës me këtë sigurim dhe kjo është për arsye se është konsideruar si rrezik për anëtarët e vet”, ka thënë Pushkolli.
Drejtues të Byrosë Kosovare të Sigurimit kanë bërë të ditur se mbetet shqetësues numri i veturave të pasiguruara në trafik, e që është mes 35 deri 50 mijë.
Sipas Pushkollit, automjetet e pasiguruara paraqesin vazhdimisht rreziqe në komunikacion dhe dëmton buxhetin e shtetit. Pushkolli ka mohuar që kolonat e gjata po krijohen në kufi nga mërgimtarët për shkak të blerjes së policës në kufi.
Ai shtoi se mërgimtarët janë të informuar nëpërmjet një memorandumi që ka pasur BKS-ja me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Diasporës, ndërsa kjo e fundit ka marrë përsipër sensibilizimin e opinionit për shitjen e policës online, por ka sqaruar se pritjet e gjata në kufi, kanë të bëjnë më tepër me kontrollet rutinore të policisë në të dyja anët e kufirit.