Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe ligjet e tjera dhe në pajtim me propozimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka emëruar gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Në një komunikatë nga presidenca thuhet se "ceremonia e betimit e gjyqtarëve të rinj para presidentit Thaçi është zhvilluar sot".
Gjyqtarët e ri të Gjykatës Kushtetuese janë: Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi–Peci, Radomir Leban dhe Nexhmi Rexhepi.
Në komunikatë theksohet po ashtu se gjyqtarët, paraprakisht kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe se emrat e tyre janë shqyrtuar nga komisioni dhe pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë në seancat plenare të Kuvendit.
Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë tashmë është vetëm me gjyqtarë vendorë.
Në muajin maj është raportuar se Radomir Laban ishte në kërkim nga autoritetet e drejtësisë së Serbisë pasi siç thuhet ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim nën akuzën për marrje ryshfeti.
Presidenti Thaçi kishte thënë se nuk do ta emëronte asnjë gjyqtarë deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë.