Pas mbledhjes së kryesisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me qëndrimin e saj lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmejtësohet nga Bashkimi Evropian.
Përmes një njoftimi për media, LDK thotë se çështjet e hapura në mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen përmes dialogut, por, kjo parti, ka kritikuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për siç ka thënë, “deklarata e pamatura” të dhëna ditëve të fundit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e Presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i vendit ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cënuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij”, thuhet në njoftim.
Presidenti Thaçi ka deklaruar se është i hapur për mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, por jo dhe ndarjen e Kosovës. Ai ka thënë, se në dialogun politik në Bruksel, do të flasë edhe për mundësinë e bashkimit me Kosovën, të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Sipas LDK-së, presidenti Thaçi nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog, pasi nuk është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës. Kjo parti, e cila është partia më e madhe opozitare në Kuvend, thotë se sa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve, kufinjtë e Kosovës janë të përcaktuara në Deklaratën e Pavarësisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ripërsërit se kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thekson faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës. Prandaj, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: duke mos e cenuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
LDK thotë se është e gatshme të marrë pjesë në dialog, por vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme parlametare, pasi sipas kësaj partie, institucionet aktuale kanë humbur legjitimitetin qytetar.
Në mbledhjen e kryesisë së partisë morri pjesë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Kjo ishte paraqitja e parë e Mustafës në publik, pasi në janar të këtij viti, kishte udhëtuar për në Gjermani, pas problemeve shëndetësore. Mustafa kishte qëndruar atje për tre muaj.