Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u është drejtuar me një letër të hapur qytetarëve serbë të Kosovës, përmes së cilës u ka thënë se përderisa ai të jetë në krye të shtetit të Serbisë, nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi serbët dhe shenjtërit e tyre, as përndjekjen e tyre.
Këtë letër, Vuçiq ua ka drejtuar serbëve një ditë para kalimit të afatit për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se “as kësaj here Prishtina nuk do të lëvizë as gishtin për të formuar Asociacionin e komunave serbe”.
Ai ka lutur qytetarët serbë që të mos ndërmarrin asgjë, ngase sipas tij, këtë do të mund ta shfrytëzonin shqiptarët ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre.
Ai ka thënë se ruajtja e paqes në Kosovë është detyrë parësore e NATO-s prej të cilës pret dhe kërkon që “ta ruajnë paqen në atë mënyrë që të pengojnë çfarëdo tentimi eventual të kujtdo dhe me çfarëdo preteksti që ta marrin dhe ta grabisin hidro-elektranën ‘Gazivoda’ (Ujman) dhe trafo-stacionin ‘Vallaç’ ose cilindo objekt kyç infrastrukturor prej të cilit varet mbijetesa e serbëve”.
Vuçiq është shprehur po ashtu se për hir të paqes e stabilitetit do të angazhohet për zgjidhje paqësore dhe kompromisi të marrëdhënieve në Kosovë dhe nuk do të ndalet derisa serbëve të mos u sigurohen të drejta më shumë sesa që kanë sot.