Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson, tha se "sulmi" i Rusisë ka çuar në vdekjen e një gruaje britanike, e cila i është ekspozuar Noviçokut - agjentit të njëjtë nervor që ka helmuar ish-spiunin rus, Sergei Skripal, dhe vajzën e tij Yulia, në muajin mars.
"Realiteti është se Rusia ka kryer sulm në tokën britanike, i cili ka çuar në vdekjen e një shtetaseje britanuje", tha Williamson.
Dawn Sturgess dhe Charlie Rowley u helmuan dhjetë ditë më parë me Noviçok, në qytetin Ejmsbëri të Anglisë.
Sturgess, 44 vjeçe, vdiq të dielën, ndërsa Rowley mbetet në gjendje kritike për jetën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ideja se Rusia qëndron prapa helmimit të tyre është "absurde".
Ai tha se Rusia "është thellësisht e shqetësuar për praninë e vazhdueshme të këtyre substancave helmuese në territorin britanik" dhe se ato "paraqesin rrezik jo vetëm për britanikët, por edhe evropianët e tjerë".
Noviçok është një agjent nervash, i cili është zhvilluar nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.
Helmimi i Sturgess dhe Rowley ndodhi katër muaj pas helmimit të Skripalëve në qytetin Sallsbëri të Anglisë.