Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e mbrojti planin e saj për Brexit, apo daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, edhe pse ai nxiti dorëheqjen e dy ministrave.
May tha se plani është e vetmja mënyrë për të shmangur një "kufi të rreptë" me Irlandën dhe për të ruajtur lidhjet me Brukselin.
Duke folur para Parlamentit britanik, May tha se programi i saj, i cili do të lejojë lëvizjen e lirë të mallrave, por jo të shërbimeve, është "Brexit-i i duhur", sepse mundëson shmangien e kontrolleve në kufirin midis Irlandës - pjesë e Bashkimit Evropian - dhe Irlandës Veriore - pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
Megjithatë, ministri për Brexit, David Davis, dhe sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, dhanë dorëheqje, duke thënë se nuk besojnë në planin e tillë.
Nivelet e integrimit të Britanisë me tregun e përbashkët të BE-së, pas Brexit-it, dhe natyra e kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës kanë qenë ndër çështjet më të vështira në negociatat e deritashme për Brexit.
Komisioni Evropian refuzoi të komentojë dorëheqjet e ministrave britanikë, duke thënë se do të vazhdojë të negociojë me "vullnet të mirë" për të siguruar marrëveshjen mbi kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja dhe marrëdhëniet e ardhshme.