Punëtorët e Postës së Kosovës ndërpresin grevën

Punëtorët e Postës së Kosovës kanë ndërprerë grevën pas arritjes së një marrëveshjeje me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në Kosovë.

Greva e punëtorëve të Postës kishte nisur sot në orën 8:00 të mëngjesit dhe ishte paraparë të jetë një-ditore. Arsyeja e grevës ishte për shkak se punëtorët, nuk kanë marrë pagat për këtë muaj.

Gjatë një konference për media ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka bërë të ditur se ka filluar shpërndarja e pagave për punëtorët dhe se greva është ndërprerë.

“Me ndërmjetësim të Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik e kemi gjetur një zgjidhje për pagesën e Telekomit për qiranë e Postës dhe kanë filluar të shpërndahen pagat dhe greva ka përfunduar që është një arritje e përkohshme”.

“Telekomi është në krizë financiare mjaft serioze dhe si rezultat ka pasur vështirësi edhe në pagesat me kohë ndaj Postës së Kosovës në anën tjetër Posta e Kosovës të hyrat kryesore i ka nga qiraja që i merr nga Telekomi”, ka bere të ditur ministri Lluka.

Ndryshe, Posta e Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, mirëpo në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themelua si Ndërmarrje Publike Qendrore.

Posta e Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.