Agim Ademi është zgjedhur kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ky institucion ka njoftuar se më 6 korrik, Kuvendi i jashtëzakonshëm i FFK-së, ka votuar në të mirë të Ademit për një mandat katërvjeçar.
Ademi ka fituar këtë pozitë me 58 vota për dhe asnjë kundër.
Drejtuesi i ri i FFK-së, është zotuar se do të punojë në zhvillimin e futbollit të Kosovës.
“Shpresoj shumë se së bashku do t’ia dalim dhe futbollin e Kosovës do ta çojmë atje ku e ka vendin. Do t’i përmbyll të gjitha projektet në të cilat kam qenë pjesëmarrës dhe do t’i nisim edhe shumë projekte tjera në partneritet me UEFA-n e FIFA-n”, është shprehur ai.
Emërimi i Ademit vjen pas vdekjes së Fadil Vokrrit, i cili ka qenë në krye të kësaj Federate.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar ditë më parë ish-kryetarin Vokrri me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Teksa ua ka dorëzuar dekoratën bashkëshortes dhe dy djemve të Vokrrit, Thaçi ka vlerësuar kontributin e të ndjerit për promovimin e sportit kosovar në botë si dhe për anëtarësimin në UEFA dhe FIFA.
Vokrri, 57-vjeçar, pas një karriere të bujshme si futbollist ishte zgjedhur në krye të FFK-së në vitin 2008.
Ai ka vdekur më 9 qershor si pasojë e një sulmi në zemër.