Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka qenë tema qendrore e takimit në mes të ministres së Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha dhe kryetarit të Komisionit të Bundestagut gjerman për çështjet e Bashkimit Evropian, Gunther Krichbaum.
“Përkrahja e Gjermanisë për Kosovën, në veçanti nga Komisionet e Bundestagut dhe rekomandimet pozitive në Parlamentin Evropian kanë rëndësi të veçantë për proceset që po kalon vendi”, ka deklaruar ministrja Hoxha.
Sipas një komunikate për media, Hoxha e ka siguruar përfaqësuesin e Bundestagut, Kirchbaum se Kosova nuk do të lejojë që lëvizja e lirë të dëmtohet nga askush.
Gjatë vizitës në Gjermani, ajo është pritur edhe nga përfaqësues tjerë të Bundestagut dhe shtetit gjerman, me ç’rast është diskutuar rreth rekomandimeve që Kosova po i pret nga Komisioni Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave, marrë parasysh që Gjermania ka një rol shumë të rëndësishëm.