Një zëdhënës i Qeverisë së Hungarisë ka kundërshtuar raportimet se vendi ka arritur një marrëveshje me kancelaren gjermane, Angela Merkel për pranimin e azilkërkuesve.
Mediat kanë raportuar se Merkel ka arritur të marrë mbështetjen e 14 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Hungarinë, që azilkërkuesit të vendosen në qendra të posaçme brenda shteteve të BE-së, ku do të presin për procedurat e shqyrtimit të kërkesave të tyre.
“Nuk kemi arritur një marrëveshje të tillë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, transmeton Reuters.
“Është e pamundur që migrantët të hyjnë në Hungari, pa hyrë fillimisht në një vend tjetër të BE-së”, ka thënë ai, duke shtuar se “më 2015, Gjermania tentoi që ne të bëheshim vendi i parë ku hynin migrantët, por ne e kemi refuzuar një gjë të tillë”.
Sipas një dokumenti të siguruar nga agjencitë e lajmeve dhe të cilin e kanë publikuar sot, kancelarja Merkel ka arritur marrëveshje me 14 shtete të BE-së, thuhet se azikërkuesit që kanë arritur në Gjermani, pasi parapralisht janë regjistruar në shtetet e tjera të BE-së, duhet të vendosen në qendra të posaçme brenda BE-së, ku do të procesohen kërkesat për azil.