Krijimi i një protokolli të përhershëm dhe të qëndrueshëm të komunikimit ndërmjet institucioneve dhe ekipit të Kosovës në dialog, do të ishte veprim i mirë, ka thënë të martën, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Siç ka theksuar Haradinaj, presidenti i vendit, Hashim Thaçi vetëm një herë në vit i adresohet Kuvendit të Kosovës dhe Kushtetuta e vendit nuk e parasheh që ai të raportojë më shumë Kuvendit, përveç se në raste të jashtëzakonshme. Megjithatë, sipas tij, duhet gjetur një formulë që komunikimi ndërinstitucional për procesin e dialogut të ekzistojë.
“Ndoshta do të ishte mirë që t’i raportojë Kuvendit. Pra, sipas bindjes sime, e rëndësishme është përfshirja e Kuvendit në procesin e dialogut. Ne, Qeveria, komunikojmë me Presidencën dhe me presidentin, por është shumë me rëndësi që partitë parlamentare - edhe ato të opozitës, por edhe të komuniteteve - ta kenë një instrument komunikimi dhe ta dinë të vërtetën për dialogun”, theksoi Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka shtuar se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të jetë drejtpërdrejtë i përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë.