Rohani: Do të përballojmë presionin ekonomik nga SHBA-ja

Presidenti i Iranit, Hasan Rohani.

Presidenti i Iranit, Hasan Rohani, u premtoi qytetarëve të tij se qeveria do të jetë në gjendje të përballojë presionin ekonomik të sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi tregtarët u mblodhën jashtë parlamentit në Teheran, për të protestuar kundër rënies së vlerës së monedhës kombëtare.

Uashingtoni do të rivendosë sanksione ekonomike kundër Iranit në muajt e ardhshëm, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Me këtë marrëveshje, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Republika Islamike është pajtuar të frenojë aktivitetin e saj bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Rohani tha se të ardhurat e qeverisë nuk janë prekur gjatë muajve të fundit dhe se rënia e monedhës rial është rezultat i "propagandës së mediave të huaja".

"Edhe në rastin më të keq, premtoj se nevojat themelore të iranianëve do të plotësohen. Ne kemi mjaft sheqer, grurë dhe vaj gatimi", tha Rohani në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror.