Delawie: Korrupsioni në Kosovë ka rrënjë të thella

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se korrupsioni në Kosovë ka rrënjë të thella dhe se nuk mund të pritet që të eliminohet brenda një kohe të shkurtër.

“Të gjithë e dimë se korrupsioni ka rrënjë të thella. Ju dhe unë e dimë që ai nuk mund të eliminohet brenda një nate”, tha Delawie, duke folur në një tryezë të organizuar nga disa organizata të shoqërisë civile, ku u paraqitën të dhëna nga “Java Kundër Korrupsionit 2017”.

Diplomati amerikan tha se “vullneti politik dhe përkrahja e qeverisë janë më të rëndësishme se kurrë për të arritur rezultate” në luftën kundër korrupsionit.

Delawie tha se është i shqetësuar me ndikimin politik në sistemin e drejtësisë, duke thënë se Kosova ka të ardhme evropiane vetëm nëse “gjykatat janë të pavarura dhe të pakorruptuara”.

Ai po ashtu i ftoi organizatat e shoqërisë civile që të jenë “vigjilente” gjatë monitorimit të prokurimit publik dhe në përgjithësi të jenë aktive në luftën kundër korrupsionit.