Thaçi dhe Vuçiqi takohen më 24 qershor në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto nga arkivi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 24 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut në nivelin e lartë politik, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

“Kabineti im ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kabinetin e Federica Mogherini dhe po ashtu kemi pranuar ftesën nga zonja Mogherini për të vazhduar dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e zbatimit të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe për të intensifikuar procesin e ri të dialogut, atë përfundimtar, të arritjes përfundimtare të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Thaçi.

Takimi, që do të lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini do të ketë në fokus diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.