Prishtina ia bën të qartë Brukselit se Asociacioni s’mund të ketë kompetenca ezekutive

Ilustrim

Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë, i kryesuar nga Avni Arifi, i ka kumtuar Bashkimit Evropian se Asociaciacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar për media nga ana e delegacionit të Kosovës pas takimit të zhvilluar në Bruksel me zyrtarët e Bashkimit Evropian, kryesuar nga Thomas Busch.

“Delegacioni i Kosovës, i përkrahur edhe nga BE, bëri edhe një herë të qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në asnjë mënyrë nivel i tretë i pushtetit, por do të jetë Asociacion brenda përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim thuhet po ashtu se delegacioni i Kosovës, përpara zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe 28 anëtarëve të saj, ngritën çështjen e mos zbatimit të marrëveshjes së energjisë, menaxhimit të integruar të kufijve, pengesat në hapjen e urës së Mitrovicës, mosnjohjen së diplomave nga ana e Republikës së Serbisë dhe pengesave serioze në lirinë e lëvizjes.

Kosova, sipas komunikatës, mbetet e përkushtuar që të gjitha marrëveshjet pa asnjë dallim të i implementohen menjëherë.