Klinika e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është bërë me sallë të dytë të operimit dhe sallë të dytë të mjekimit intensiv.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se me hapjen e kësaj salle operative pritet të eliminohet lista e pritjes së pacientëve që shumë herë zgjat me muaj.
Sipas tij, ky është një hap shumë i madh për pacientët dhe personelin mjekësor kosovar.
“Deri tani këtu është operuar me një lloj presioni për arsye se ka qenë vetëm një sallë dhe në raste urgjente pacienti është dashur të presë”, tha ministri Ismajli.
“Tani kemi një mundësi që në dy salla të operohet dhe realisht ta mënjanojmë edhe listën e pritjes, e cila ka bërë që pacientët, të cilët kanë pasur probleme me zemër, të presin me vite, në mënyrë që t’iu jepet shërbimi i duhur”, tha Ismajli.
Me investimin e ri, Klinika e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive tashmë do t’i ketë 16 shtretër, 7 prej të cilëve në mjekimin intensiv; 2 salla operative, 2 salla të mjekimit intensiv.