Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dorëzoi tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën përmbyllet mandati i deritashëm i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë - EULEX.
Letrën e pranuan komandanti i Operacioneve Civile në EULEX, Kenneth Deane, dhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.
Në një komunikatë për media nga Presidenca thuhet se përmbajtja e letrës është negociuar ndërmjet palës kosovare dhe BE-së dhe se parasheh përfundimin e mandatit ekzekutiv dhe reduktimin e rolit të EULEX-it në rol monitorues dhe këshillues.
“Ka qenë një dekadë e vlefshme për Kosovën”, tha me këtë rast Thaçi, duke shtuar se “institucionet e Kosovës kanë përfituar shumë nga bashkëpunimi me EULEX-in”.
“Falë këtij bashkëpunimi, sot kemi ngritur kapacitetet vendore për të marrë plotësisht përgjegjësitë në sektorin e sundimit të ligjit”, citon komunikata deklaratën e presidentit Thaçi.